Biografia

Author Picture

Petro Marko

Petro Marko (1913 - 1991) ishte arsimtar, publicist, gazetar, anëtar i Grupit Komunist të Tiranës, interbrigadist e shkrimtar shqiptar. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin "Nderi i Kombit".

Petro Marko lindi në fshatin Dhërmi. Pasi kreu filloren në vendlindje më 1924, shkoi në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932.

Më 1934 ishte pjesë e Grupit Komunist të Tiranës. Nga një ngatërresë që pati, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste (akuzë e pavërtetë) dhe u detyrua të largohej për herë të parë në Greqi.

Kthehet pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut dhe shëtiti nga një gazetë në tjetrën ("Illyria", etj.), dhe më 1936 boton revistën “ABC” bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Zavalanin, Migjenin, e cila u mbyll pas numrit të 1-rë nga regjimi zogist. Shkon nga njëri shtet në tjetrin, nga Greqia në Francë e Spanjë dhe kthehet sërish në Shqipëri.

Në fundin e 1944 ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi". Më 1957 punon si mësues në teknikumin “8 nëntori” dhe më 1973 i hiqet e drejta për botim.

Pas rrëzimit të diktaturës themelon së bashku me Sabri Godon dhe Vangjush Gambeten “Partinë Republikane të Shqiperisë”. Më 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit pa ceremoni.