FTESË PËR SHKRIMTARË, KRIJUES, PËRKTHYES E BOTUES TË LIBRIT SHQIP

NË KUADËR TË PROJEKTIT “SIGAL AUDIOBOOKS.AL”

 

Në vitin 2018, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri dhe me shtrirje të gjerë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ndërmori nismën “Audiobooks.al”, projekti i parë dhe i vetëm i këtij lloji në Shqipëri, dhe më gjerë në rajon. Kjo nismë synon që, përmes realizimit në versionin audio të librave nga autorë shqiptar dhe të huaj të nxisë edukimin e qytetarëve shqiptarë dhe shqipfolës, brenda dhe jashtë kufijve, për të nxitur dijet dhe për të kontribuar në kultivimin e një gjenerate të re e aftë për të menduar, lexuar dhe dëgjuar në gjuhën teknologjike dhe dixhitale që po udhëheq sot botën.    

Deri tani, ne e kemi bërë realitet këtë platformë dixhitale të librave audio online duke klikuar në: www.audiobooks.al, e cila deri tani numëron mbi 20,000 përdorues dhe ku çdokush që dëshiron të dëgjojë libra mund të përzgjedhë midis qindra librave të zhanreve të ndryshme nga letërsia klasike, bashkëkohore, historia, shkenca, arti, kultura apo përrallat për fëmijë. Për këtë qëllim tashmë ne jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve (përsa i takon teksteve shkollore) dhe me Ministrinë e Shtetit dhe të Diasporës (si institucioni përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e procesit të hartimit të teksteve për diasporën) që na ka dhënë të drejtën e realizimit në audio të të gjithë librave shkollorë nga klasa I deri në klasën IX. Për më tepër, bashkëpunëtorët tanë të tjerë dhe të ngushtë për realizimin e këtij projekti përfshijnë disa nga shtëpitë botuese më të mira në vend dhe dhjetra autorë shqiptar. Por ky është vetëm fillimi!

Dëshira jonë është që ky projekt të vazhdojë të zgjerohet dhe që nismës tonë si formësues të së ardhmes ti bashkohen autorët shqiptar të kudondodhur më të rëndësishëm dhe me peshë në vend për të na ndihmuar që, së bashku, të ndërtojmë një aset të çmuar mbi dijen duke lidhur leximin akademik dhe letërsinë shkollore me atë jashtëshkollore. Sepse ne besojmë tek vlera e paçmuar që leximi ushtron mbi imagjinatën; sepse veprat më të mëdha letrare, historike, shkencore dhe kulturore kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në formësimin e individit dhe të shoqërive përgjatë historisë; sepse vetëm kështu mund të rrisim aftësitë gjuhësore, mendore dhe të shprehive të gjeneratave të reja përmes pasurimit të fjalorit; dhe sepse të gjitha këto janë burimi që na ndihmon për të kuptuar vetveten, njëri tjetrin dhe për të qenë njerëz më të mirë.

Për këtë arsye, me anë të kësaj ftese të hapur publike për bashkëpunim, po ju drejtohemi Juve, si shkrimtarë, krijues, përkthyes e botues që të na bashkoheni me veprat/librat tuaja duke na dhënë të drejtën e realizimit në audio të librave të botuar nga Ju. Këtu përfshihen edhe librat që ju tashmë i keni në audio dhe që dëshironi të jenë pjesë e Platformës sonë. SIGAL UNIQA angazhohet për të vlerësuar çdo kërkesë dhe të bëjë një përzgjedhje të drejtë..

Të gjithë të interesuarit të dergojnë me emailn në [email protected]

         Titullin  e librit apo librave

         Përmbledhje të shkurtër të veprës

         CV të shkrurtër

 

Bashkohuni me Audiobooks.al

Biblioteka juaj virtuale!