U lind në Monemvasia, në krahinën e Lakonisë në Peloponez, ishte i katërti dhe më i vogli nga fëmijët e një familjeje pronarësh toke. Në moshën tetë-vjeçare nis të pikturojë, të shkruajë poezi dhe të luajë në piano. “Nëntë dritare kish në shtëpinë tonë dhe të gjitha hapeshin nga ana e universit”, do të ndërmendë ai më vonë vitet e fëmijërisë. Por, parajsa fëmijënore nuk vazhdon gjatë. Nga viti 1921, poeti i ardhshëm nis të njohë një mori fatkeqësish: familja rrënohet ekonomikisht, nëna dhe vëllai i madh vdesin para kohe, babai, që vuante nga trazime mendore, shtrohet në një spital psikiatrik. Vetë poeti do të kalojë tre vjet (1927-1930) në sanatorium për t’u kuruar nga tuberkulozi, sëmundje që e shoqëroi gjithë jetën. Këto ngjarje tragjike do të mbeten të pashqitshme nga vepra e tij poetike.
Një prirje vetjake dhe sidomos leximet e ndryshme të kësaj kohe e nxitin Ricosin të bëhet poet dhe revolucionar. Në vitin 1934, ai boton librin e tij të parë Traktori, i frymëzuar kryesisht nga futurizmi i Majakovskit dhe, një vit më vonë, librin Piramidat, dy vepra këto që realizojnë një ekuilibër të brishtë midis besimit tek e ardhmja, që bazohet mbi idealin komunist, dhe dëshpërimit vetjak. Në vitin 1936, poema e gjatë Epitafi shfrytëzon formën e poezisë popullore tradicionale dhe jep, nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, një mesazh prekës vëllazërimi. Muzika e Miki Theodhoraqisit më 1960-n, do ta bëjë këtë poemë ndezësin e revolucionit kulturor në Greqi.
Në vitet 1937–1940, Ricos boton librin Kënga e motrës sime. Me këtë rast, patriarku i letrave greke, Kostis Palamas, i shkruan Ricosit: “… Po mënjanohemi, Poet, që të kalosh.” Librat Simfoni pranverore dhe Marshi i Oqeanit përbëjnë bazën e Simfonisë së Shtatë të Theodhoraqisit, e njohur ndryshe si “Simfonia pranverore”. Te libri Mazurka e vjetër me ritmin e shiut (1942), Ricosi artikulon për të parën herë lidhjen e tij me hapësirën greke – mbartëse e kujtesës historike, që do të lejë gjurmë të pashlyeshme në krejt veprën e tij të ardhme.

Showing the single result

Trego Filtrat